Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka përkujtuar sot, në trevjetorin e sulmit në Banjskë, rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra në krye të detyrës më 24 shtator 2023.
Përmes një reagimi, Ambasada britanike ka nderuar guximin dhe profesionalizmin e Policisë së Kosovës gjatë përballjes me sulmin dhe përpjekjeve për rivendosjen e sigurisë në zonë.
“Tre vjet pas sulmit tragjik në Banjskë, kujtojmë zyrtarin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili humbi jetën në shërbim të vendit të tij”, thuhet në reagimin e Ambasadës.
Ambasada ka vlerësuar gjithashtu punën e vazhdueshme të prokurorëve të Kosovës në ndjekjen e rastit dhe ka theksuar rëndësinë e vendosjes së përgjegjësisë për sulmin.
Sipas Ambasadës britanike, personat përgjegjës për sulmin, përfshirë Milan Radoiçiqin, ende nuk janë përballur me drejtësinë.
“Ne përsërisim thirrjen tonë ndaj autoriteteve serbe që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të siguruar që autorët të mbahen përgjegjës, pa vonesa të mëtejshme”, thuhet në reagim.
Sulmi në Banjskë ndodhi më 24 shtator 2023, kur një grup i armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në veri të vendit. Në këtë sulm u vra rreshteri Afrim Bunjaku, ndërsa disa pjesëtarë të tjerë të Policisë së Kosovës u plagosën.


























