“Shqiptarët mendojnë se Edi Rama e ka mbushur kupën prej kohësh, por tani zemërimi i qytetarëve ka arritur kulmin”.
Kështu e përshkruajnë situatën e ditëve të fundit në Shqipëri, njohësit e rrethanave politike dhe shoqërore të Shqipërisë. Ata mendojnë se Rama nuk do të dorëhiqet dhe se njëkohësisht as protetat nuk do të ndalen. Pedagogu dhe aktivisti Brenton Kotorri thotë se pjesëmarrja më masive në protestë dhe ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar, mund të jetë e vetmja mënyrë që mund ta “detyrojnë” Ramën të dorëhiqet.
Brenton Kotorri, pedagog
“E vetemja mënyrë që mund t’i shkoj deri në fund arritjes së qëllimit është në qoftë se do të mbështetej më masivisht nga qytetarët shqiptarë. Pra, të dilnin në rrugë të bënin mosbindje civile, të mbyllnin bizneset të paralizohej jeta në vend deri në rrëzimin e kësaj Qeverie, apo nga ana tjetër mund të kishte një lëvizje që në art njihet si ‘Deus Eksmatina’, pra të ndërhyj ‘Dora e Zotit’ në kuptimin që ndërkombëtarët, ambasadat e huaja, sidomos ata me më shumë influencë në Shqipëri, në mënyrë formale ose informale”
Moskomunikimi, injorimi, përbuzja, padrejtësia, sipas deputetit të Partisë Demokratike Tomor Alizotit janë ndër shkaqet që kanë zemëruar studentët për të protestuar në këtë mënyrë. Siç thotë ai, kur pushtetet e arrijnë kulmin, ata kanë një tipar që i karakterizon, që është arroganca. Mirëpo, konsideron se Rama është drejtë vdekjes finale politike.
Tomor Alizoti, deputet i PD-së
“Shqiptarët që ju shikoni sot në rrugë janë të zemëruar. Protesta është zemërim. Nuk është diçka estetike…është zemërim i një populli. Pra unë do preferoja, më mirë një demokraci të shëmtuar se sa një autokraci të bukur. Kështu që shqiptari i sotëm në vend të rrij në shtëpinë e tij dhe të kujdeset për prindërit e tij, të laj prindërit e tij, ka shkuar nëpër botë dhe lanë prindërit e botës. Kjo është tragjedi e madhe”.
Sot është dita e katërt që protestat në Shqipëri janë përshkallëzuar, pas rreth katër muajsh protesta paqësore./shenja


























