Armë, fishekë dhe marihuanë, raporti i fundit i Policisë

Policia e Kosovës ka raportuar për disa raste të armëmbajtjes së paautorizuar, përdorimit të armëve të zjarrit dhe posedimit të narkotikëve në lokacione të ndryshme të vendit. Gjatë veprimeve policore janë konfiskuar armë, mijëra fishekë, granata dore, pajisje ushtarake dhe substanca narkotike.

 

Rastet janë evidentuar në Zubin Potok, Suharekë, Malishevë, Gjakovë, Vushtrri, Fushë Kosovë dhe në pikën kufitare në Merdar.

Dy raste të rëndësishme janë raportuar në fshatrat Paruce dhe Ranqiqe të Zubin Potokut, ku policia ka kontrolluar dy shtëpi të pabanuara.

Në Paruce, më 13 tetor, rreth orës 08:25, njësitë policore kanë gjetur dhe konfiskuar një tytë të pushkës së gjuetisë, 141 fishekë të armës së gjatë, 21 fishekë të armës së gjatë me krehër dhe dy fishekë të pushkës së gjuetisë. Po ashtu, janë gjetur 48 gëzhoja të pushkës së gjuetisë, pajisje për mbushjen e fishekëve, katër kuti me barot, sfera, kapsolla dhe tamponë për fishekë.

Gjatë kontrollit janë gjetur edhe një maskë gazi ushtarake, një bajonetë ushtarake dhe katër granata dore.

Ndërkaq, në fshatin Ranqiqe, në një shtëpi tjetër të pabanuar, policia ka gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri, 2.056 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe katër granata dore.

Në fshatin Peqan të Suharekës, lidhur me një rast të të shtënave me armë zjarri të raportuar më 11 tetor, policia ka vazhduar veprimet hetimore më 13 tetor. Në vendin e ngjarjes është gjetur një gëzhojë, ndërsa gjatë kontrollit të zonës përreth janë gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri, një karikator dhe dy fishekë. I dyshuari ishte arrestuar dhe dërguar në mbajtje më 11 tetor.

Në fshatin Mleqan të Malishevës, një person dyshohet se kishte shtënë me armë zjarri gjatë një ahengu familjar. Nga ai është konfiskuar një armë me karikator dhe 15 fishekë, si dhe 13 gëzhoja. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Në fshatin Bitesh të Gjakovës, pas informatave për të shtëna me armë zjarri, policia ka shkuar më 13 tetor në shtëpinë e të dyshuarit. Prindi i tij ia ka dorëzuar policisë një pistoletë, 75 fishekë, tri gëzhoja dhe lejen e armës. Sipas deklarimit të prindit, i dyshuari ndodhet në Zvicër. Për rastin është njoftuar prokurori.

Ndërkaq, në fshatin Prilluzhë të Vushtrrisë, gjatë kontrollit në shtëpinë e një personi, policia ka gjetur dhe konfiskuar një armë dhe një kuti me diabolla. I dyshuari është intervistuar dhe më pas, me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.

Në pikën kufitare në Merdar, një shtetas i Serbisë është arrestuar pasi gjatë kontrollit në veturën e tij është gjetur dhe konfiskuar një elektroshok. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

Policia ka raportuar edhe për raste të posedimit të paautorizuar të narkotikëve.

Në rrugën Presheva në Fushë Kosovë, pas pranimit të një informate, policia ka shkuar në lokacion dhe ka gjetur një qese me 62.55 gramë marihuanë te një shtetas i Turqisë.

Gjatë kontrollit të banesës, në dhomën e një personi tjetër, po ashtu shtetas i Turqisë, është gjetur një revole me një karikator dhe gjashtë fishekë.

Substanca narkotike dhe arma janë sekuestruar. Me vendim të prokurorit kujdestar janë hapur dy raste të ndara, ndërsa të dy të dyshuarit, pas intervistimit, janë dërguar në mbajtje.

Në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Vushtrri, policia ka arrestuar një person pasi gjatë kontrollit në veturën e tij është gjetur dhe konfiskuar një qese me 7.5 gramë marihuanë. Pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, me vendim të prokurorit.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish