Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur se janë arrestuar dy mjekë të spitalit në Vushtrri, me iniciale E.S. dhe V.R., nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.
Sipas dyshimeve fillestare, i dyshuari E.S. në tri raste, ndërsa i dyshuari V.R. në pesë raste, kanë kërkuar dhe pranuar para nga qytetarët për ofrimin e shërbimeve shëndetësore.
“Me vendim të prokurorit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa brenda afatit ligjor do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së sigurisë për të ndaluarit”, thuhet në njoftim.
Tutje Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka thënë se mbetet e përkushtuar në luftimin e korrupsionit, keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe çdo forme tjetër të kriminalitetit që cenon sundimin e ligjit, sigurinë publike dhe besimin e qytetarëve në institucionet publike.


























