Opinionisti Labinot Balaj ka vlerësuar se Partia Demokratike e Kosovës po tenton të krijojë monopol mbi vlerën e UÇK-së dhe protestat që po mbahen, duke u bërë kështu pengesë që këto tubime të marrin karakter gjithëpopullor.
Gjatë një debati në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Balaj u shpreh se PDK-ja tashmë është pozicionuar për të marrë primatin mbi këtë kauzë të ndjeshme.
PDK-ja ka stile, është përcaktuar që të marrë njëfarë primati, monopolin karshi vlerës më të madhe që ka shoqëria jonë, UÇK-së” tha Balaj.
I pyetur nga drejtuesi i emisionit, Adriatik Kelmendi, se kush po i pengon qytetarët apo përfaqësuesit e partive të tjera që t’i bashkohen protestës së përditshme, ku thuhet se marrin pjesë shtresa të ndryshme shoqërore, Balaj theksoi se pengesa kryesore vjen pikërisht nga vetë qasja e PDK-së.
Vetë PDK-ja! Pse? Sepse e ka një qasje ekskomunikuese në raport me partitë politike të tjera dhe me eksponentë ose simpatizantë të partive të tjera. Retorika e saj, kushtëzimet e saj — qoftë direkt, qoftë përmes agjentëve të saj medialë që thonë ‘kjo po adresohet kundër Kurtit, kundër qeverisë, kundër Vetëvendosjes’ — kjo përbën njëfarë inhibimi, njëfarë pengese që protesta me qenë gjithëpopullore“, shtoi ai.
Pavarësisht kësaj kritike mbi menaxhimin dhe retorikën politike, Balaj nënvizoi se e kupton qëllimin elektoral të partisë, duke mos e vënë në dyshim sinqeritetin e vetë reagimit qytetar.
PDK-ja është e përcaktuar për një proces të ri elektoral dhe e kuptoj, e di që edhe protestat e tyre janë të sinqerta“, tha Balaj.


























