Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se Këshilli Drejtues i Bankës Qendrore Evropiane ka miratuar vazhdimin e Linjës REPO për BQK-në deri më 31 janar 2027.
“Kushtet e vazhdimit të linjës së BQE-së janë pranuar nga BQK-ja me Letër Konfirmimin e datës 29 janar 2025, pas kërkesës së BQK-së të datës 25 nëntor 2024 për vazhdim, dhe para skadimit të marrëveshjes së mëparshme. Linja e përkohshme REPO në shumë maksimale prej 100 milionë euro, siguron një masë shtesë parandaluese për të adresuar nevojat e mundshme të likuiditetit dhe për të ruajtur stabilitetin e sistemit financiar të Kosovës”, thuhet në njoftimin e BQK-së.
Megjithëse BQK nuk e ka shfrytëzuar Linjën REPO të deritanishme, ajo e konsideron këtë instrument si shumë të rëndësishëm për stabilitetin monetar dhe financiar të Kosovës, veçanërisht marrë parasysh situatën aktuale të pasigurive globale dhe rreziqet e tyre potenciale për ekonomitë botërore dhe tregjet financiare.
BQK-ja ka shprehur mirënjohjen dhe respektin më të lartë për Këshillin Drejtues dhe presidenten e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde.


























