Në ditën kur Lionel Messi u përlot në konferencën për shtyp pas zyrtarizimit të largimit nga Barcelona, klubi katalan fiton trofenë Gamper në sfidën e zhvilluar kundër Juventusit në stadiumin “Johan Cruyff”.
Formacioni i drejtuar nga Ronald Koeman dominoi ndaj bardhezinjve të Allegrit, që edhe pse e nisën takimin me peshat e rënda si Ronaldo, Morata, de Ligt e Cuadrado, u duk qartë se nuk kishin ritmin e duhur të përballuar “blaugranat”.
Takimi u zhbllokua shumë shpejt, që në minutën e tretë nga Memphis Depay, që shfrytëzoi pasimin e Demir. Holandezi ishte protagonist edhe në rastin e golit të dytë, me asistin e dhënë për Martin Braithwaite në minutën e 57-të. Golin e tretë Barcelona e shënoi në minutën e dytë shtesë me autor Ricard Puig, me një goditje të bukur nga jashtë zonës.
Rreth 15 minuta në fushë edhe për Rey Manaj, që u aktivizua në të 78-tën në vend të Braithwaite. Sulmuesi kuqezi pati pak kontakte me topin, megjithatë në një moment po të tregohej pak më shumë i vëmendshëm mund ta dërgonte topin në rrjetë.