Bashkimi Evropian nuk komenton nismat për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale, por përsërit mbështetjen e plotë të Brukselit për këtë institucion.
Zëdhënësi i BE-së, Christian Wigand, përsëriti qëndrimin zyrtar se Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një institucion i pavarur gjyqësor, i themeluar me vendim të Kuvendit të Kosovës, dhe se puna e tyre është mbështetur vazhdimisht nga Brukseli.
“Puna e tyre është e rëndësishme për të garantuar llogaridhënien, për t’u siguruar drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet e Kosovës. Siç e kam theksuar edhe më parë këtu, personat e dënuar me vendimin e shkallës së parë, natyrisht, kanë të drejtë të apelojnë. Vendimi mund të shqyrtohet nga gjyqtarë të pavarur të apelit, në një panel të veçantë të Dhomave të Specializuara të Apelit. Por mbështetja jonë për Dhomat e Specializuara është e qëndrueshme dhe do të vazhdojë”, ka thënë Wigand.
Ky qëndrim i pandryshuar i Brukselit vjen në kohën kur në Kosovë është rikthyer në debat çështja e ndryshimit të bazës ligjore mbi të cilën funksionojnë Dhomat e Specializuara.
BE-ja vazhdon të mbështesë këtë institucion, për funksionimin e të cilit deri më tani ka alokuar rreth gjysmë miliardi euro.


























