Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Kosovë (KMDLNJ), ka reaguar pas deklaratës së djeshme të Josep Borrell, Shefit i Diplomacisë Evropiane, rreth aksionit të Policisë së Kosovës në veri, transmeton Kosova Post.
Borrell e cilësoi aksionin policor një “veprim të njëanshëm, të pakoordinuar dhe të papranueshëm”, ndonëse ai i ishte ndërmarrë kundër krimit të organizuar.
Por pas kësaj deklarate skandaloze ka reaguar KMDLNJ-ja e cila intervenimin e djeshëm të Policisë së Kosovës e quan në përputhje me ligjin.
Ja reagimi i plotë:
Qytetarët e Kosovës aktualisht janë më të diskriminuarit në Evropë për faktin se janë të mbyllur dhe nuk mund të lëvizin ngase iu mohohet e drejta elementare e njeriut, lëvizja e lirë e që konsiderohet si kusht i domosdoshëm për një shtet demokratik.
Ndonëse Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga BE-a madje duke e dëmtuar edhe vet shtetin siç ishin Demarkacioni, Asociacioni i komunave serbe dhe Gjykata Speciale, përsëri iu mohua liria e lëvizjes përmes refuzimit të liberalizimit të vizave me arsyetim se nuk po luftohet mjaftueshëm korrupsioni dhe krimi i organizuar. Ishte dhe është pikërisht BE-a që ua mohon qytetarëve të Kosovës (të vetmit në Evropë) lirinë e lëvizjes me kërkesë eksplicite të luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar.
Më 13.10.2021 Policia e Kosovës ndërmori aksione në disa lokacione në Kosovë në luftë kundër kontrabandimit të mallrave ilegale dhe krimit të organizuar. Policia e Kosovës siguronte punën e doganierëve dhe inspektorëve rregull ky i zbatuar aty ku parashihej rreziku dhe ku do të kishte arrestime.
Veriu i Kosovës , që nga përfundimi i luftës u shndërrua në “tokë të premtuar” për krimin e organizuar ku të papenguar bashkëjetonin dhe bashkëvepronin kriminelët e të gjitha përkatësive etnike të cilët, në jo pak raste kishin përkrahjen dhe mbrojtjen e politikës dhe politikanëve të fuqishëm të të gjitha përkatësive etnike.
Ata që e pësonin ishin qytetarët e të gjitha përkatësive etnike. Në të gjitha raportet e BE-së dhe të tjera Kosova radhitej në majat e saj si kampion i korrupsionit dhe krimit të organizuar. Deri më tani, çdo veprim i Prokurorisë dhe Policisë që kishte për qëllim zbatimin e ligjit kishte përkrahje të plotë të shteteve të BE-së dhe SHBA-ve.
Tash, kur Prokuroria dhe Policia e Kosovës ndërmorën një aksion kundër krimit të organizuar e që përfundoi me 9 shqiptarë të arrestuar, 1 serb dhe 1 boshnjak reagimi ishte përkrahës përjashtuar këtu Kryetarin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq me kamarillën e tij dhe Josep Borrell, përfaqësues i lartë i BE-së dhe për fat të keq edhe “lehtësues “ midis Serbisë dhe Kosovës për arritjen e një Marrëveshjeje përfundimtare.
Edhe më i skajshëm ishte Goran Rakiq, ministër i Qeverisë së Kosovës, i cili vetëm sa nuk i shpalli luftë Kosovës, në mbrojtje të krimit të organizuar. Në një vend normal ai do të shkarkohej, menjëherë dhe pa asnjë hezitim.
Josep Borrell e barazon të drejtën dhe obligimin ligjor të Policisë së Kosovës ta luftojë krimin e organizuar me të dyshuar dhe të arrestuar për krim të organizuar që është , sa e pamoralshme aq edhe e dënueshme.