Britania ka dërguar sot dy luftanije të vogla që sipas tyre kanë përzënë peshkarexhat franceze prane ishullit Jersey, pasi një prej tyre goditi një barkë britanike peshkimi mes konfliktit për të drejtat e peshkimit, pas ndryshimit të marrëdhënieve post-Brexit, transmeton Kosova Post.
Duke bërë krahasime me betejën e dikurshme të Trafalgar, mediat britanike thanë se armata e mjeteve franceze ishte rikthyer drejt Francës. Kreu i shoqatës britanike të peshkatarëve Don Thompson, tha se mjetet franceze që kishin bllokuar gjirin u kthyen mbrapsht por nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre.
Franca gjithashtu dërgoi dy mjete patrullimi bregdetar për t’u përballur me marinën mbretërore, për të shoqëruar rreth 100 peshkarexhat e tyre në ujërat e ishullit Jersey, i cili sipas një statusi special, është i varur nga Britania po jo pjesë e saj. Mjetet ushtarake franceze Athos e FS Themis u vunë përballë atyre britanike HMS Severn e HMS Tamar – megjithse të dytat ishin më të mëdha e më të fuqishme.
Mes tensioneve, Parisi paralajmëroi dje se mund të ndërpresë energjinë elektrike për ishullin, i cili furnizohet me anë të një kabulli nënujor. Komisioni Evropian tha sot se kushtet e marrëveshjes së Brexit nuk po zbatohen në ujërat e Jersey, ndërsa Boris Johnson përsëriti mbështetje të plotë për ishullin gjatë një bisede me zyrtarët.