Gjykata Themelore në Gjakovë, më 19 shkurt të këtij viti, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, për akuzën se ka keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë kohës sa ka qenë në krye të komunës në fjalë.
Sipas aktgjykimit që ishte shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shaqir Zika, me anëtarët e trupit gjykues, Mentor Bajraktari dhe Besarta Doli, i akuzuari Lekaj është dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Edhe të akuzuarit tjerë, përkatësisht ish-zyrtarët tjerë të komunës, Gani Rama dhe Ismet Isufi janë dënuar me kusht për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Gani Rama është dënuar me 1 vit burgim me kusht, ndërsa Ismet Isufi me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht.
Në aktgjykim thuhet se dënimet me burgim ndaj të akuzuarve të lartcekur nuk do të ekzekutohen, nëse të njëjtit nuk kryejnë vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej 2 vitesh për secilin.
Ndërsa, ndaj të akuzuarit Veli Hajdaraga për mashtrim me subvencione dhe shmangie nga tatimi gjykata kishte shqiptuar dënimin unik me gjobë në shumën prej 8 mijë euro, si dhe dënimin me burgim me kusht prej një 1 viti.
Trupi gjykues kishte shqiptuar edhe dënim plotësues ndaj të akuzuarve Gani Rama, Ismet Isufi dhe Pal Lekaj, që përfshinë ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratë publike ose në shërbime publike në kohëzgjatje prej 2 vitesh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Katër të akuzuarit gjithashtu janë obliguar që Komunës së Gjakovës t’ia kompensojnë dëmin në shumën prej 69,786 euro, në afat prej një viti, nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.