Shkruan: Elvis Hoxha
Nuk është kurrfarë dialogu për normalizim ai proces që nis me kushte për territor. Normalizimi nuk është për territoret, por për njerëzit. Do të ishte normale që emisarët të kishin vendosur si kusht kthimin e njerëzve të rrëmbyer, zbulimin e plotë të varreve masivë. Sepse dialogu duhet të ketë frymë humaniste dhe jo territorialiste apo sendore.
Nuk është kurrfarë normalizimi ai proces që nuk nis me njohjen reciproke, sepse vetëm kështu Serbia hedh hapin e parë jashtë të shkuarës së vet gjenocidale shekullore.
Nuk është kurrfarë normalizimi ai proces që nis me vendosjen nga njëra anë e tryezës e shefit të propagandës të shtetiti gjenocidal dhe nga ana tjetër e atij që ka qenë në burgun e shtetit gjenocidal. Ja një kompromis i madh i kryer nga Kosova, për ata që kërkojnë që Kosova të bëjë kompromise.
Nuk është kurrfarë normalizimi ai proces ku emisarët vijnë prej shteteve që njohin vetëm njërin prej dialoguesve dhe jo tjetrin. Ja dhe një kompromis tjetër që bëri Kosova, për ata që duan që ajo të bëjë kompromise.
Nuk është kurrfarë normalizimi ai proces ku tradhtohet drafti prej negociatorëve të tij.
Nuk është kurrfarë normalizimi ai proces ku kërkohet të zgjidhet një problem duke hapur një tjetër.
Nuk është kurrfarë normalizimi ai proces ku duam të fitojmë bashkëpunimin e padrejtësisë duke dëmtuar drejtësinë.
Nuk është kurrfarë normalizimi ai proces ku harrohet se njohja duhet të jetë e ndërsjellë, pra se kjo njohje nuk i nevojitet vetëm Kosovës, por edhe Serbisë.
Nuk është kurrfarë normalizimi ai proces ku sabotojmë një shtet me qeveri të ndershme dhe të drejtë dhe mbështesim autokracinë që po e zhbën në mënyrë afatgjatë demokracinë dhe të ardhmen.
Të gjitha këto mund t’i themi hapur dhe qetë përsa që e dimë se Albin Kurti nuk po bëhet merak për pushtet, por që Kosova të ketë sovranitet. Me një tjetër kryeministër, nuk do të mund të shpreheshim kaq sinqerisht, sepse ndërgjegjja jonë do të ishte në hall.