Protesta studentore në Tiranë është përshkallëzuar përpara Kryeministrisë, ku protestuesit kanë qëndruar të vendosur duke kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës.
Me thirrjet ‘Dorëheqje, dorëheqje’, studentët kanë vijuar qëndresën përpara godinës së qeverisë, ndërsa policia ka hedhur gaz lotsjellës dhe bombola shpërthyese për shpërndarjen e tyre.
Tensionet janë rritur gjatë protestës, por demonstruesit kanë vijuar të qëndrojnë në bulevard, përballë Kryeministrisë, duke e kthyer godinën e qeverisë në pikën kryesore të tubimit.
Më herët, studentët e zhvendosën protestën nga Ministria e Arsimit drejt Ministrisë së Financave dhe më pas te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Gjatë protestës, disa demonstrues kanë hyrë në ambientet e Ministrisë së Financave. Raportohet se prej aty janë nxjerrë disa objekte, të cilave më pas u është vënë flaka.
Megjithatë, në qendër të protestës mbetet qëndresa përpara Kryeministrisë dhe thirrja për largimin e Edi Ramës nga detyra e kryeministrit.


























