Dosja “Sheholli”: “Top sekret 2”, plani që Kosova të perceptohej shtet radikal

Një dokument me mbishkrimin “Top sekret 2”, të cilin Prokuroria Speciale e Kosovës e përshkruan si material me përmbajtje të karakterit konfidencial, është gjetur gjatë analizimit të telefonit celular të sekuestruar nga Fatmir Sheholli.

Sipas aktakuzës, dokumenti është evidentuar gjatë analizimit të telefonit Apple iPhone të Shehollit dhe mijëra fotografive e imazheve të ruajtura në pajisje. Prokuroria e ka përfshirë atë në materialin provues për akuzën për spiunazh.

Në dokument, sipas analizës së paraqitur në aktakuzë, përshkruhet një plan që synon zgjerimin e ndikimit të radikalizimit fetar në Kosovë dhe rajon, përfshirjen e personave me ndikim në fusha të ndryshme dhe krijimin e një perceptimi negativ për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Sipas aktakuzës, nga përmbajtja e dokumentit rezulton një plan veprimi që, sipas Prokurorisë, synon destabilizimin e Republikës së Kosovës dhe krijimin e perceptimit të saj si një shtet i radikalizuar dhe ekstremist.

Prokuroria pretendon se dokumenti përshkruan shfrytëzimin e rrjeteve të personave të angazhuar në Kosovë dhe rajon për financimin dhe përhapjen e aktiviteteve fetare, si dhe ndikimin te persona me rol publik dhe prijës fetarë.

Sipas aktakuzës, synimi i këtij plani ishte krijimi i një narrative negative për Kosovën, nxitja e migrimit dhe ndikimi në qëndrimet e shteteve perëndimore ndaj saj.

Prokuroria pretendon se, në planin afatgjatë të përshkruar në dokument, synohej krijimi i një gjendjeje në të cilën Kosova do të perceptohej ndërkombëtarisht si një shoqëri e radikalizuar dhe e destabilizuar.

Sipas asaj që shkruhet në atë dokument një zhvillim i tillë do të synonte krijimin e kushteve për ndryshimin e qëndrimit ndërkombëtar ndaj Kosovës dhe rikthimin e saj nën juridiksionin e Serbisë.

E këtë dokument Fatmir Sheholli më 5 gusht 2025, ia ka dërguar personit Viktor Makedonija.

Në aktakuzë thuhet se dokumenti ishte pjesë e materialeve të gjetura në telefonin e Shehollit dhe është vlerësuar së bashku me komunikimet dhe provat e tjera të administruara gjatë hetimeve.

Prokuroria pretendon se pranimi dhe shpërndarja e këtij dokumenti, në ndërlidhje me provat e tjera, mbështet pretendimin e saj se veprimet e Shehollit kanë qenë në funksion të përcjelljes dhe realizimit të synimeve të strukturave të shërbimit informativ serb, BIA.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish