Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Diplomatike në Kosovë, Ambasadori Beqir Ismaili, ka pritur sot në takim Ambasadorin e ri jorezident të Kuvajtit, Faisal S. Al-Musaileem, përcjell Kosova Post.
Qëllimi i vizitës së ambasadorit jorezident të Kuvajtit, Al-Musaileem, ishte që të njihet më për së afërmi me zhvillimet në Akademi.
Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Diplomatike në Kosovës, Beqir Ismaili, e falënderoi ambasadorin Al-Musaileem për vizitën dhe njëherësh e vlerësoi këtë vizitë si shumë të rëndësishme.
Ambasadori Ismaili fillimisht i uroi mirëseardhje mysafirit, e më pas e njoftoi për veprimtarinë e Akademisë, përfshirë të gjitha periudhat që nga themelimi e deri më sot.
Ai edhe njëherë shprehu falënderimet e tij për përkrahjen dhe ndihmat e vazhdueshme që ka dhënë shteti i Kuvajtit për popullin e Kosovës.
Ndërkaq, ambasadori jorezident i Kuvajtit, Al-Musaileem, e falenderoj duke shprehur kënaqësinë e tij për vizitën në këtë Akademi.
“Pas marrëveshjes me Institutin Diplomatik të Kuvajtit për bashkëpunim që e kemi para disa viteve në mes të dy institucioneve u njohëm më për se afërmi dhe për të shqyrtuar mundësinë e vazhdimit të bashkëpunimit”, tha Ismaili.
Vlen të theksohet se sot Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori jorezident i Kuvajtit në Kosovë, Faisal Musaileem të cilin e ka uruar për detyrën dhe ka shfaqur shpresën se gjatë mandatit të tij do të intensifikohen edhe më tej marrëdhëniet bilaterale në mes të dy vendeve.


























