Një person ka vdekur si pasojë e plagëve të marra nga gjuajtja me armë zjarri që ndodhi të hënën në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë, e një tjetër ka mbetur i plagosur dhe po trajtohet nga mjekët.
Kështu bëhet e ditur në një njoftim nga Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, sqaroi se rasti ka ndodhur rreth orës 12:30, ku është raportuar për gjuajtje me armë zjarri.
Sipas tij, Policia po vazhdon me ekzaminimin e vendit të ngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore.
“Rreth orës 12:30, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri, në rrugën ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para të marra nga mjekët emergjent është konfirmuar se një person është pa shenja jete ndërkaq një tjetër ka mbetur i plagosur. Aktualisht policia po vijon punën me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore, me qëllim të zbardhjes së rrethanave të ngjarjes si dhe identifikimin e të dyshuarve”, thuhet në njoftimin e plotë të Borovcit.