Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka deklaruar se partia e tij synon të dalë e para në zgjedhjet e 7 qershorit dhe të marrë përgjegjësinë për formimin e institucioneve të reja të vendit.
Në KosovaPress, Gashi tha se LDK-ja ka ambicie të qartë për të udhëhequr vendin, duke theksuar se çdo rezultat tjetër përveç pozitës së pare, do të ishte vetëm një sukses relativ.
“LDK-ja si parti shtetformuese, si partia e parë në Evropën Juglindore, si partia e parë demokratike në rajon dhe më gjerë, çdogjë përveç pozitës së parë është sukses relativ. Pra, Lidhja Demokratike e ka ambicien dhe duhet ta ketë ambicien të jetë partia e parë. Çdo ambicie tjetër, më pak se të jetë partia e parë, është ambicie e cunguar dhe nuk përfaqëson idenë dhe idealin e votuesit dhe qytetarëve të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës… Po u bëj thirrje në vazhdimësi qytetarëve të Kosovës: dilni dhe zgjidhni! Zgjidhni! Sepse zgjedhja juaj e përcakton se ku do të shkojë vendi. Zgjidhni cila është alternativa që mendoni që është më e mira, dhe zgjidhni me bindje njerëzit brenda alternativës, edhe në Vetëvendosje, edhe në LDK, edhe në PDK, edhe në AAK, në të gjitha partitë. Zgjidhni njerëzit që mendoni se duhet të jenë në Kuvend që të përfaqësojnë zërin tuaj. Jo të votoni me stihi, me histeri… ato janë joproduktive. Ajo mënyrë e të vepruarit çon në bllokada. Sepse nuk je duke votuar për ide, por për një inercion. Inercioni i konfliktit, inercioni i përçarjes, inercioni i ndarjes, dhe ky votim për inercion pastaj çon në bllokada”, tha ai.
Sipas tij, programi i LDK-së bazohet në zhvillimin ekonomik, ekonominë e tregut të lirë dhe investimin e parasë publike në projekte që nxisin rritjen ekonomike.
Ai tha se LDK-ja synon të krijojë kushte për rritje ekonomike përmes investimeve që gjenerojnë zhvillim afatgjatë dhe rrisin mundësitë për bizneset dhe qytetarët.
Ndërkaq, kritikoi qasjen e Qeverisë aktuale ndaj menaxhimit të ekonomisë, duke vlerësuar se fondet publike duhet të orientohen më shumë drejt investimeve zhvillimore sesa skemave sociale.
“LDK-ja po ofron dhe duhet të ofrojë zhvillim ekonomik, duhet të ofrojë ekonomi të tregut të lirë, duhet të ofrojë investim të parave publike në rritjen e mundësisë së zhvillimit ekonomik. Pra, paraja publike nuk duhet të ndahet 200–300 milionë euro si ndihmë sociale. Unë e kuptoj edhe atë pjesë. Për shembull, ju e keni pakon e fundit të quajtur Pakoja kundër inflacionit, dhe ndërkohë që ka katër vjet që qeveria me radhë ka inflacion. Ndërkohë që kur inflacioni është 7–8% çdo vit, ata vendosin… Kosova nuk ka investuar në ngritjen e kapaciteteve të energjisë elektrike ka një kohë të gjatë. Bile kjo qeveri nuk ka investuar as në mirëmbajtje. Dhe energjia elektrike është interes strategjik dhe siguri nacionale për Kosovën dhe për të gjitha vendet. Për shembull, nëse shohim qeverinë aktuale, të gjitha qeveritë paraprake janë munduar të bëjnë diçka. Vetëvendosja gjithmonë i ka penguar dhe ka rezistuar ndaj ngritjes së kapaciteteve të reja për prodhimin e energjisë elektrike. Fatkeqësisht kjo qeveri nuk ka bërë asnjë veprim për ngritjen e kapaciteteve”, shtoi Gashi.
Duke folur për zgjedhjen e presidentit pas zgjedhjeve, Gashi tha se në rast se LDK-ja udhëheq procesin e krijimit të institucioneve, partia tashmë e ka përcaktuar kandidatin e saj për këtë post. Megjithatë, ai theksoi se nuk do të insistojnë që Vjosa Osmani të bëhet presidente pas zgjedhjeve të 7 qershorit nëse kjo paraqet pengesë për arritjen e marrëveshjeve politike.
Sipas tij, nëse një kandidat është i papranueshëm për partnerët e koalicionit, LDK-ja duhet të tregojë konstruktivitet dhe të mos rrezikojë funksionimin e institucioneve për shkak të preferencave partiake.
“Nëse LDK-ja i fiton zgjedhjet, unë jam i bindur që ne mund të marrim edhe kryeministrin, edhe kryetarin e Kuvendit, edhe presidentin. Me Kushtetutë i takon propozimi. Pastaj nëse i ka shumicën e deputetëve e merr edhe Qeverinë. Nuk është në rregull… Pra, unë nuk pretendoj që LDK-ja ka me i fituar dy të tretat e zgjedhjeve. Dy të tretat e deputetëve, nuk pretendoj që LDK-ja ka me i fituar vetë 80 deputetë. Në momentin që nuk mundet me i fituar 80 deputetë vetë, dhe për me zgjedh Presidentin i duhen 80 deputetë në dy raundet e para, dhe në raundin e tretë i duhet me marrë pjesë 80 deputetë, atëherë i bie që LDK-ja duhet me bë kompromis. Nëse, kushdo qoftë individi, në këtë rast zonja Osmani, për partnerët është e papranueshme, LDK-ja duhet të jetë konstruktive. Ne e kemi preferencë, por nuk mundemi me e shkatërruar vendin për një preferencë… Si koncept, LDK-ja ka shkuar me këtë variant. Nëse LDK-së, në ndërtimin e institucioneve pas zgjedhjeve i takon, në ndërtimin e koalicionit, nëse ndërtohet një koalicion me 80 deputetë, i takon funksioni i Presidentit, LDK-ja paraprakisht e ka përcaktuar kandidatin për President”, theksoi Gashi.
Ai foli edhe për mundësinë e bashkëpunimeve politike pas zgjedhjeve, duke thënë se nuk i përket asnjë grupi që përjashton paraprakisht bashkëpunimin me partitë e tjera parlamentare.
Megjithatë, Gashi vlerësoi se pas gjashtë vitesh në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje duhet të kalojë në opozitë.
“Tash ka njerëz që thonë s’dua të bashkëpunoj me PDK-në e AAK-në, ka njerëz që thonë s’duhet të bashkëpunoj me Vetëvendosjen, unë nuk jam në asnjërën prej këtyre kategorive. Unë nuk shquhem si një urrejtës paraprak i asnjërës prej skemave politike në Kosovë. Unë jam për bashkëpunim me këdo që është e mundur të bashkëpunohet, në bazë të programeve dhe të arsyeshmes në qeverisjen e LDK-së. Unë jam për ta bërë LDK-në parti të parë. Lëvizja Vetëvendosje pas 6 viteve në pushtet duhet të dalë në opozitë. Është më e shëndetshme edhe për demokracinë, edhe për Kosovën, por edhe për Vetëvendosjen. Pra, i duhet një rifillim i ri. Neve na duhet një klasë politike e cila mendon politikisht, në mënyrë pragmatike dhe në mënyrë praktike për zhvillimin e vendit. Nuk jam në kategorinë e njerëzve që mendojnë në mënyrë përjashtuese. Përkundrazi, konsideroj se politikës në Kosovë i duhet të kalojë fazën e fundit të konsolidimit të demokracisë, dhe i takon LDK-së me e marrë përgjegjësinë për ta mbyllur këtë proces, siç i ka mbyllur të gjitha proceset tjera”, potencoi ai.
Gashi tregoi edhe çka i kushtoi politikisht atij pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, 9 shkurtit, që pastaj në zgjedhjet e tjera të fundvitit nuk arriti të bëhet deputet.
Ai kritikoi lidershipin e partisë për mënyrën se si ishte pozicionuar në listën zgjedhore, duke thënë se kjo përbënte një distancim politik nga puna e tij si shef i Grupit Parlamentar.
Gashi e cilësoi këtë vendim si gabim politik, duke vlerësuar se pasoja nuk ka pasur vetëm për të personalisht, por edhe për vetë partinë.
“Si kryetar i grupit, për herë të parë në historinë e LDK-së, më kanë vendosur numrin 14, që ka qenë një farë refuzimi, distancimi politik prej opozitës që është bërë, që ka qenë gabim total për mendimin tim dhe i ka kushtuar edhe partisë. Nuk ka të bëjë me individin, nuk ka të bëjë me mua, ka të bëjë me kryetarin e grupit. Një opozitë katërvjeçare ku të gjitha aferat korruptive, komisionet hetimore parlamentare për energjinë, komisioni hetimor parlamentar për rezervat shtetërore, komisioni hetimor parlamentar për tenderët njëburimorë, gjetja e 3500 tenderëve njëburimorë, dërgimi i 20 e sa ligjeve në Gjykatën Kushtetuese, të gjitha pothuajse të fituara dhe plot veprime të tjera opozitare të koordinuara nga kryetari i grupit, dhe pastaj kryetari i grupit të largohet ashtu, të distancohet partia prej kryetarit të grupit, ka qenë gabim. Dhe mendoj se i ka kushtuar partisë, i ka kushtuar edhe mua politikisht”, tha ai.
Ai tregoi edhe nëse është bashkuar e djathta në LDK.
“Figura që ka qenë më e kërkuar për të qenë në listë ka qenë Agim Veliu, sepse në mënyrë të padrejtë në zgjedhjet e shkurtit të vitit të kaluar ai u la jashtë listës. Ndërsa për persona të tjerë, ata në momente të caktuara kanë qenë të pasivizuar politikisht për shkak edhe të mungesës së rezultateve zgjedhore. Por zotit Veliu nuk i ka munguar rezultati zgjedhor dhe nuk i ka munguar as vullneti që të kandidohet në të dy palët e zgjedhjeve të kaluara. Këto zgjedhje u krijua mundësia që të kandidohet, por për shkak edhe të kohës së shkurtër dhe të këndvështrimit të tij për politikën dhe gjendjen aktuale, refuzoi që të jetë pjesë e listës”, përfundoi Gashi.


























