Rodrigo Duterte, president i Filipineve, ka kërcënuar se do t’i burgosë personat të cilët nuk pranojnë të vaksinohen kundër koronavirusit, raportojnë mediat ndërkombëtare.
“Ju zgjidhni, vaksinohuni ose do t’ju arrestoj e burgosë”, tha Duterte, pas raporteve për pjesëmarrje të ulët të njerëzve në disa qendra vaksinimi në kryeqytetin Manila, shkruan Kosova Post.
Komentet e tij bien në kundërshtim me ato të zyrtarëve shëndetësorë, të cilët i kanë inkurajuar qytetarët që të vaksinohen, por kanë thënë se imunizimi është çështje vullneti.
Autoritetet e Filipineve kanë vaksinuar deri më tani rreth 2.1 milionë njerëz.
Qeveria e këtij vendi me 110 milionë banorë ka vënë si synim vaksinimin e 70 milionë njerëzve këtë vit.
Duterte, i cili është kritikuar për qasjen e tij të ashpër për frenimin e koronavirusit, po ashtu tha se i mbetet qëndrimit të tij të mëparshëm për mos hapjen e shkollave.
Ky vend ka regjistruar mbi 1.3 milion raste të të infektuarve dhe mbi 23,000 viktima.