Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kanë lëshuar sallën e Kuvendit, pasi kanë refuzuar që të vazhdojë tutje votimi për propozimin e kandidatit të tyre për nënkryetar të Kuvendit.
Në fjalën e saj, shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, u shpreh se nuk mund të vazhdohet me procedurën për kandidatin e LDK-së pa u zgjedhur fillimisht kandidati i PDK-së për nënkryetar të Kuvendit.
Lushaku-Sadriu i kërkoi kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, që të shterojë të gjitha mundësitë që fillimisht të bëhet zgjedhja e nënkryetarit të PDK-së dhe më pas të vazhdohet me procedurën për kandidatin e LDK-së.
Megjithatë, pavarësisht kërkesës së LDK-së, kryetarja e Kuvendit tha se propozimi i LDK-së është dorëzuar edhe me shkrim dhe, dhe nuk është ndryshuar kandidati dhe nga PDK nuk janë në seancë, procedura duhet të vazhdojë tutje.
Në ato momente, Grupi Parlamentar i LDK-së lëshoi seancën, ndërsa kryetarja e Kuvendit e ndërpreu atë.
Haxhiu njoftoi se seanca e radhës do të mbahet të dielën, në orën 10:00.

























