Kapiteni i Kombëtares së Zvicrës, Granit Xhaka, është dënuar me gjobë me kusht lidhur me rastin e certifikatave të falsifikuara të vaksinimit gjatë pandemisë COVID-19.
Vendimi është bërë i ditur nga vetë futbollisti 34-vjeçar përmes një postimi në Instagram, ku ka sqaruar se është dënuar me 50 ditë-gjobë, me nga 3 mijë franga zvicerane për ditë, me kusht.
Sipas Xhakës, kjo nënkupton se dënimi nuk do të ekzekutohet nëse gjatë periudhës së kushtit nuk kryen ndonjë shkelje tjetër. Ai ka bërë të ditur gjithashtu se i ka paguar shpenzimet e procedurës.
Rasti lidhet me periudhën e pandemisë, kur Xhaka kishte pranuar se kishte siguruar certifikatë vaksinimi. Prokuroria e Lucernës kishte nisur procedurë ndaj tij për dyshimet lidhur me certifikatën e falsifikuar, ndërsa çështja ishte bërë publike fillimisht nga “Blick”.
Në një deklaratë të mëhershme, Xhaka kishte pranuar përgjegjësinë për veprimet e tij, duke thënë se sot e konsideron atë vendim si gabim.
Pas vendimit, Xhaka ka theksuar se e pranon atë dhe se merr përgjegjësinë për rastin.
“E pranoj vendimin dhe marr përgjegjësinë”, ka shkruar ai.


























