Qeveria në detyrë e Kosovës ka marrë vendim të enjten për lehtësim të masave për luftim të pandemisë së koronavirusit.
Me vendimet e reja, orë policore nuk do të ketë në asnjë qytet të Kosovës, studentët do të vazhdojnë ligjëratat në objekte të fakulteteve, derisa orari i punës së operatorëve ekonomikë në gjithë Kosovën do të jetë nga ora 05:00 deri më 22:00.
Mes tjerash në njoftim është thënë se në tubimet publike, të organizuara në ambiente të hapura mund të marrin pjesë 80 persona, derisa në ato të mbyllura deri në 50 persona, për dallim nga 30 persona sa janë lejuar në hapësira të mbyllura dhe 50 në ato të hapura deri më tani.
Ndër të tjerash Qeveria në detyrë ka marrë vendim që të gjithë shtetasit që jetojnë jashtë Kosovës duhet ta kenë testin PCR në momentin kur hyjnë në Kosovë jo më larg se 72 orë.
Por kundër vendimeve të Qeverisë në detyrë kanë dalë shumë persona. Ndër ta edhe shumë profesionist shëndetësor të cilët kanë deklaruar se nuk është konsultuar fare Bordi Këshilldhënës për koronavirus.
Për të gjitha kritikat rreth vendimeve të qeverisë, kanë folur edhe nga Ministria e Shëndetësisë. Nga ky institucion shëndetësor kanë vërë me dije se vendimet e sotme janë marrë sipas propozimeve të MSH-së bazuar në situatën aktuale epidemiologjike, e cila gjatë këtij muaji ka rezultuar të jetë më e qetë.
“Ndërlidhur me interpretimet e ndryshme rreth masave të fundit anti covid-19 në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë informon publikun se vendimet e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës janë marrë sipas propozimeve të MSh-së bazuar në situatën aktuale epidemiologjike, e cila gjatë këtij muaji ka rezultuar të jetë më e qetë. Bazuar në të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, shkalla e morbiditetit (sëmundshmërisë) nga infeksioni COVID-19 është 120/100.000 banorë, kurse shkalla e pozitivitetit të mostrave të testuara është 13.1%.Kjo është arsyeja pse janë ndërmarra disa masa për t’i dhënë më shumë hapësirë veprimtarive të rëndësishme jetësore. “, thuhet në njoftimin e MSh-së.
Sipas saj, në bazë të vendimeve të sotme, parimisht, mbesin në fuqi pothuajse shumica e masave të ndërmarra më herët përveç heqjes së orës policore në komunat në “zonën e kuqe”, e cila tashmë si masë nuk ka ndonjë ndikim pozitiv, duke qenë që së fundi në këtë zonë kanë qenë vetëm katër komuna, si dhe kthimi i mësimit me prani fizike në fakultete, duke respektuar Manualin për parandalimin e përhapjes dhe luftimin e COVID-19.
“Pëkundër kësaj, kategorizimi i komunave do të vazhdoj të bëhet edhe më tej bazuar në numrin e rasteve pozitive në 100.000 banorë brenda një jave për të përcjellë ecurinë epidemiologjike sa i përket COVID-19”, thuhet tutje në njoftim.
E sa u përket testeve PCR për ata që hyjnë në Kosovë, kjo masë ka qenë e vendosur edhe më parë dhe nuk është e re, dhe ka vlejtur për të gjithë udhëtarët që vijnë në Kosovë nga shtetet me rrezik të lartë sipas klasifikimit të ECDC-së dhe bazuar në parimin e reciprocitetit.
“Sa u përket institucioneve ekzekutive dhe atyre këshillëdhënëse, Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë t’i trajtojë rekomandimet dhe çështjet që ngriten prej tyre, duke përcjellë me kujdes situatën epidemiologjike. Ndryshimi apo përkeqësimi eventual i situatës do të përcillet me masa adekuate, pa përjshtuar edhe kthimin e kufizimeve, ndërkohë që qytetarët rekomandohen që të veprojnë sipas udhëzimeve të IKSHPK-së për t’u mbrojtur nga infeksioni COVID-19”, përfundon njoftimi.
E rreth vendimeve të Qeverisë në detyrë sot ka reaguar edhe mikrobiologu, Luli Raka. Raka i cili është edhe kryesues i Bordit Këshilldhënës për koronavirus, ka thënë se nuk është konsultuar për një propozim të tillë.
Ky Bord është formuar nga ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj.
Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, ai ka thënë se kundërshton lirimin e masave në këtë kohë.
“Në kohën e shkeljes masive të masave parandaluese gjatë fushatës zgjedhore e parazgjedhore nga tërë spektri politik; shtrirjes së variantit britanik të virusit, i cili është prezent në Kosovë që nga fundi i dhjetorit, çdo ‘lehtësim politik i masave’ mundëson përhapjen e infeksionit në komunitet duke kërcënuar shëndetin publik e individual në Kosovë. Prandaj, unë jam kundër lirimit të masave në këtë kohë”, ka thënë mes tjerash ai