Efektivë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë zhvilluar qitje me mortaja të kalibrave 60, 81 dhe 120 milimetra në poligonin e qitjes me armë të rënda të Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.i
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë po thellohet dhe forcohet vazhdimisht përmes aktiviteteve të përbashkëta stërvitore.
“Në kuadër të trajnimeve në fushën e artilerisë dhe zjarrit indirekt, ushtarakët e Forcës së Sigurisë së Kosovës zhvilluan qitje me mortaja 60, 81 dhe 120 mm në poligonin e qitjes me armë të rënda të Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut të Forcave të Armatosura të Shqipërisë”, ka shkruar Maqedonci.
Sipas tij, gjatë këtij aktiviteti, pjesëtarët e FSK-së dëshmuan përgatitje të lartë profesionale, disiplinë dhe zbatim të standardeve gjatë realizimit të qitjeve.
“Aktivitete të tilla kontribuojnë në zhvillimin e kapaciteteve në fushën e artilerisë, ngritjen e aftësive operacionale dhe forcimin e ndërveprueshmërisë ndërmjet forcave tona”, ka shkruar tutje ministri Maqedonci.


























