Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka reaguar ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, lidhur me korrespondencën e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, përcjell KosovaPost.
Gashani e ka cilësuar publikimin e kësaj korrespondence nga Rama si një qasje problematike, duke e akuzuar atë për krijimin e një alarmi të pabazë dhe për paraqitjen e pjesshme të komunikimeve institucionale.
Sipas ministrit, letra e ICMG-së u është drejtuar edhe përfaqësuesve të tjerë institucionalë, përfshirë kryetarin e Prishtinës, dhe shqetësimet duhet të trajtohen përmes komunikimit ndërinstitucional, e jo përmes publikimeve në rrjetet sociale.
Ai ka theksuar se përkushtimi i Qeverisë së Kosovës për organizimin e këtij eventi sportiv mbetet i plotë, duke shtuar se puna po vazhdon në bashkëpunim me ICMG-në dhe institucionet përkatëse.
Gashani ka thënë se vështirësitë dhe sfidat që lidhen me organizimin e Lojërave Mesdhetare po trajtohen me përgjegjësi dhe vendosmëri, ndërsa ka kritikuar atë që e ka cilësuar si ngritje të panevojshme të alarmeve dhe përhapje të disfatizmit.
Në fund të reagimit të tij, ministri ka përsëritur se Qeveria e Kosovës do të jetë garantuese e organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030.
Postimi i plotë:


























