Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se Qeveria ka miratuar një pako prej gjashtë projektligjesh, të cilat sipas saj përbëjnë bazën e reformës së sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Në një konferencë për media, Gërvalla tha se këto projektligje synojnë rritjen e efikasitetit, profesionalizmit, integritetit dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor dhe prokurorial.
“Këto gjashtë ligje janë fundamenti i reformës së thellë të sistemit të drejtësisë për të cilën jemi zotuar para qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha Gërvalla.
Një prej projektligjeve rregullon rekrutimin, vlerësimin e performancës, kontrollin e integritetit dhe statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Sipas Gërvallës, kandidatët për këto pozita do t’i nënshtrohen verifikimeve të veçanta, të cilat përfshijnë evidencat penale, llogaritë bankare, regjistrat e pronave, punëdhënësit e mëparshëm dhe informacionet nga shoqëria civile.
“Rekrutimi bëhet vetëm pas verifikimit të veçantë të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë duke përfshirë evidencat penale, llogaritë bankare, regjistrat e pronave, punëdhënësit e kaluar dhe informacionet nga shoqëria civile”, deklaroi ministrja.
Ajo tha se vlerësimi i performancës do të bazohet në kritere cilësore, përfshirë njohuritë e legjislacionit, aftësitë për zhvillimin e procedurave gjyqësore dhe hetimore, analizën dhe arsyetimin ligjor, aftësitë komunikuese dhe përdorimin e teknologjisë informative.
“Për herë të parë ligji parasheh që gjyqtarët dhe prokurorët mund të shkarkohen për shkak të vlerësimit të dobët të performancës”, tha Gërvalla.
Projektligji parasheh gjithashtu mundësinë e ankesës ndaj vlerësimit të performancës drejtpërdrejt në Gjykatën Supreme.
Sipas ministres, pjesë e reformës është edhe kontrolli i integritetit dhe verifikimi i pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve çdo tre vjet.
“Gjyqtarët dhe prokurorët do të shkarkohen edhe në rast se vërtetohet që kanë pasuri të pajustifikueshme”, deklaroi ajo.
Gërvalla tha se ndryshimet nuk lidhen vetëm me përgjegjësinë dhe kontrollin, por edhe me mbrojtjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Projektligjet parashohin masa të veçanta mbrojtëse për gjyqtarët, prokurorët dhe familjet e tyre në rast kërcënimesh, ndërsa transferimi i tyre në gjykata apo prokurori të tjera do të bëhet vetëm mbi bazë të kritereve të përcaktuara me ligj.
Pakoja përfshin edhe ndryshimet në ligjin për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Masat e ndërmarra disiplinore regjistrohen dhe bëhen publike nga KGJK-ja dhe KPK-ja. Përsëritja e shkeljeve të lehta disiplinore konsiderohet shkelje e rëndë disiplinore”, tha Gërvalla.
Ndër ndryshimet e propozuara është edhe përcaktimi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës si autoritete kompetente për trajtimin e njoftimeve për shkelje disiplinore.
Sipas Gërvallës, KGJK-ja dhe KPK-ja do të caktojnë nga nëntë gjyqtarë, respektivisht nëntë prokurorë, për shërbim në panele hetimore me mandate pesëvjeçare.
Pakoja përfshin edhe ndryshime në ligjet për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, si dhe në Ligjin për Akademinë e Drejtësisë.
Gërvalla tha se këto projektligje synojnë organizim dhe menaxhim më të mirë të punës dhe profesionalizim më të madh të gjykatave dhe prokurorive.
“Kush nuk performon, sipas këtyre projektligjeve do të largohet nga sistemi”, deklaroi ministrja.


























