Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, ka uruar Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen presidente e Kosovës, duke thënë se pas stabilizimit institucional vendin e presin reforma të rëndësishme, përcjrll KosovaPost.
Përmes një postimi, Gërvalla ka thënë se zgjedhja e Shiroka-Pulës në krye të shtetit rikthen një grua me integritet dhe profesionalizëm të dëshmuar në këtë pozitë.
Ajo ka theksuar se pas zgjedhjes së presidentes së re, institucionet kanë përpara katër vjet punë për realizimin e reformave të premtuara.
Sipas Gërvallës, ndër prioritetet është funksionalizimi i plotë i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe zbatimi i reformës në drejtësi.
Ajo ka përmendur edhe vetingun në drejtësi, të cilin e ka cilësuar të domosdoshëm për rikthimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
Ndër reformat e tjera, Gërvalla ka renditur themelimin e Gjykatës për Çështje Familjare, me fokus në rastet që lidhen me pronën, trashëgiminë, dhunën në familje, divorcin dhe alimentacionin.
Ajo ka kërkuar gjithashtu digjitalizim të plotë të sistemit të drejtësisë, nga dorëzimi online i padive deri te procedimi dhe zgjidhja e tyre, duke theksuar nevojën për më shumë transparencë dhe efikasitet.
Gërvalla ka përmendur edhe themelimin e një prokurorie të re të specializuar për krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë, si dhe krijimin e një Zyre për Hetime Disiplinore për rritjen e llogaridhënies në sistemin gjyqësor dhe prokurorial.
Në postimin e saj, ajo ka kërkuar mbështetje për hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë, si dhe përpjekjet për sjelljen para drejtësisë të personave përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës.
Gërvalla ka thënë se këto reforma do ta forcojnë drejtësinë, do t’i bëjnë institucionet më të përgjegjshme dhe do të rrisin sigurinë e qytetarëve.
“Stabiliteti institucional që kemi sot duhet të kthehet në punë, në reforma dhe në rezultate”, ka shkruar ajo duke uruar edhe një herë presidentes së re Justina Shiroka-Pula dhe qytetarëve të Kosovës.


























