Gjykata Supreme e Kosovës ka bërë të ditur se lënda që lidhet me kontestin gjyqësor për bllokimin e llogarive bankare të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) është në shqyrtim, pas paralajmërimit të punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje për protestë para objektit të gjykatës, transmeton KosovaPost.
Në reagim, Supremja ka kërkuar që të shmanget çfarëdo forme e presionit ndaj tyre. Një ditë më herët, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar nga kjo Gjykatë që ta shqyrtojë me prioritet rastin në fjalë.
Gjykata Supreme ka thënë se i kupton edhe shqetësimet e punëtorëve të NPB-së, të cilët, sipas informacioneve të bëra publike, janë përballur me vonesa në marrjen e pagave si pasojë e bllokimit të llogarive bankare të ndërmarrjes.
“Gjykata Supreme respekton të drejtën e qytetarëve dhe punëtorëve për të shprehur shqetësimet e tyre në mënyrë paqësore dhe në përputhje me ligjin. Njëkohësisht, rikujton rëndësinë e respektimit të pavarësisë së gjyqësorit dhe të shmangies së çdo forme të presionit që mund të perceptohet si ndërhyrje në procesin e vendimmarrjes gjyqësore”, thuhet në reagim.


























