Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, në fjalimin e tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ka folur, ndër të tjera, edhe për aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se, nëse zbatohen rigorozisht standardet ndërkombëtare të drejtësisë, liderët e UÇK-së do të lirohen.
“Dëshiroj t’i shpreh mirënjohjen tonë të sinqertë Presidentit Bulai dhe delegacionit të PACE-së për punën e tyre dhe partneritetin e çmuar. Raporti dëshmon se Kosova ka një sistem zgjedhor të qëndrueshëm dhe vetëkorrigjues. Kjo do të thotë se Kosova ka arritur një nivel të tillë të pjekurisë demokratike dhe kulturës zgjedhore, saqë përbën shembull për demokracitë e tjera në rajon dhe më gjerë. Është e pamohueshme se Kosova po përballet me një krizë politike lidhur me zgjedhjen e Presidentit”, tha ai.
Sipas tij, kjo duhet parë në kontekstin e disa anomalive kushtetuese, disa prej të cilave burojnë edhe nga Pakoja e Ahtisaarit. Megjithatë, ajo që është e rëndësishme është se dialogu politik vazhdon të zhvillohet brenda konturave demokratike, ku dhuna nuk gjen vend. Institucionet tona bënë çdo përpjekje për të siguruar një proces gjithëpërfshirës, veçanërisht për komunitetet joshumicë.
“Me krenari dëshmuam një pjesëmarrje të lartë të komunitetit serb, pavarësisht presionit dhe frikësimit ndaj tyre nga Lista Srpska dhe Serbia. Ajo Serbi që vazhdon të ruajë një vazhdimësi ideologjike me të kaluarën e saj të palavdishme dhe të errët. Ndërkohë që edhe sot në Kosovë vazhdojnë të zbulohen mbetje mortore dhe varreza masive si pasojë e krimeve të kryera nga Serbia, Serbia vazhdon të glorifikojë kriminelë të dënuar për gjenocid, të strehojë terroristë dhe të përdorë retorikë luftënxitëse, përfshirë thirrje për spastrimin etnik të Kosovës.
Sa u përket dënimeve të fundit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, të përmendura në raport, duhet theksuar se pretendimet qendrore të raportit të Dick Martyt nuk janë vërtetuar. Nuk pati krime kundër njerëzimit, nuk pati trafikim organesh dhe nuk pati “Shtëpi të Verdhë”. Sa u përket akuzave të mbetura, ne besojmë fuqishëm se Paneli i Apelit do t’i rrëzojë ato, nëse i zbaton me rigorozitet standardet ndërkombëtare të drejtësisë, dhe udhëheqësit e UÇK-së do të jenë të lirë. UÇK-ja u shfaq si përgjigje ndaj dekadave të shtypjes dhe zhvilloi një luftë të drejtë për ta çliruar popullin e Kosovës nga Serbia diktatoriale e Milosheviçit, e cila ishte vetë burimi i terrorit dhe i luftërave të përgjakshme në mbarë ish-Jugosllavinë. Evropa duhet të mbetet vigjilente dhe të mos lejojë që barbaria e viteve ’90 të përsëritet, duke lejuar shtrembërimin dhe përmbysjen e të vërtetave historike”, tha Gola.


























