Kryetari i degës së Vetëvendosjes në Skenderaj, Hysni Mehani, ka përshkruar grumbullimin e qytetarëve dje dhe vendosjen e disa traktorëve në rrugë para stacionit policor ku po intervistohej kryetari i komunës, Sami Lushtaku, për rastin ku Mehani u sulmua.
“Nëse parmbrëmë prania e njësisë speciale ua kujtonte një të kaluar të errët, çfarë u kujtonte bllokimi i rrugëve dhe i policisë me kamionë, traktorë dhe mjete të tjera? Sami Lushtaku mund t’i imitojë metodat e Radoiçiqit në Drenicë, por Drenica kurrë nuk do të mendojë serbisht. Deri në frymën e fundit”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.
Mehani dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se sulmin ndaj tij e ka bërë Lushtaku. Këtë pretendim e ka mohuar vetë Lushtaku.


























