Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili, ka prezantuar zhvillimet e sektorit financiar të Kosovës gjatë një takimi zyrtar që zhvilloi me kryetarin e Autoritetit Evropian të Bankave (EBA), José Manuel Campa, në selinë qendrore të EBA-së në Paris.
“Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili prezantoi zhvillimet më të fundit në sektorin financiar të Kosovës, duke përfshirë projektet kryesore të BQK-së që synojnë forcimin e stabilitetit financiar, reformimin e mbikëqyrjes bankare, modernizimin e infrastrukturës së pagesave dhe përmirësimin e mbrojtjes së konsumatorit. Ai gjithashtu informoi për progresin në procesin para-aplikues të Kosovës për anëtarësim në SEPA, si dhe për zhvillimet e fundit në projektin për ndërtimin e sistemit të shpejtë të pagesave në bashkëpunim me Bankën e Italisë”, njofton BQK.
Tutje theksohet se në fokus të diskutimeve ishin mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit institucional në drejtim të harmonizimit të rregullativës me standardet e Bashkimit Evropian, si dhe në fusha të tjera si stabiliteti financiar, mbikëqyrja bankare, mbrojtja e konsumatorit, kripto-asetet, financat digjitale dhe siguria kibernetike.
“Në mënyrë të veçantë, u diskutua mundësia e mbështetjes nga ana e EBA-së për BQK-në në procesin e harmonizimit të kornizës ligjore dhe rregullative me acquis-in e BE-së në sektorin bankar, në kuadër të projektit të ekuivalentimit që BQK po e zhvillon me mbështetjen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Ismaili, duke shprehur mirënjohjen për realizimin e kësaj vizite të parë të këtij niveli, vlerësoi lart mbështetjen dhe kontributin e EBA-së në fuqizimin e kapaciteteve të BQK-së. Ai gjithashtu ritheksoi gatishmërinë për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit për zhvillimin e mëtejshëm të rregullativës prudente, praktikave të tregut dhe mbrojtjes së konsumatorëve të shërbimeve financiare”, thuhet tutje në njoftim.
BQK ka theksuar se mbetet e përkushtuar për bashkëpunim efikas me institucionet e Bashkimit Evropian për të harmonizuar rregullativën me qëllim të integrimit në tregjet dhe sistemin financiar të BE-së.