Hamza premton reforma në shëndetësi dhe modernizim të spitaleve

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka prezantuar programin e tij për sektorin e shëndetësisë, duke premtuar reforma dhe investime që, sipas tij, do të përmirësojnë qasjen e qytetarëve në shërbimet shëndetësore.

 

Në një konferencë për media, Hamza tha se qytetarët po përballen me kosto të larta të jetesës dhe vështirësi në qasjen ndaj shërbimeve shëndetësore, ndërsa theksoi se sistemi aktual shpesh nuk arrin t’u ofrojë atyre kujdesin që meritojnë.

Ai u shpreh se qytetarët nuk përballen vetëm me frikën nga sëmundja, por edhe me barrën financiare që ajo sjell, duke përmendur pensionistët që duhet të zgjedhin mes blerjes së barnave dhe pagesës së faturave, si dhe pacientët që presin me muaj për termine specialistike ose detyrohen të kërkojnë trajtim jashtë vendit.

Duke shpalosur zotimet e tij për shëndetësinë, Hamza tha se një qeveri e udhëhequr nga PDK-ja do të zbatojë sigurimet shëndetësore, me qëllim që familjet të mbrohen nga shpenzimet e larta dhe askush të mos mbetet pa trajtim për arsye financiare.

“Do të zbatojmë sigurimet shëndetësore, në mënyrë që familjet të mbrohen nga shpenzimet dhe askush të mos mbetet pa trajtim për arsye financiare”, tha ai.

Hamza premtoi gjithashtu furnizim të rregullt me barna esenciale dhe barna falas për pacientët me sëmundje kronike.

“Do të sigurojmë furnizim të rregullt me barna esenciale dhe barna falas për pacientët me sëmundje kronike”, deklaroi ai.

Në kuadër të investimeve infrastrukturore, Hamza tha se do të modernizohen spitalet ekzistuese, përfshirë ato në QKUK, do të ndërtohen spitali i ri i Prishtinës dhe ai i Mitrovicës, si dhe do të krijohet Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore për reagim më të shpejtë dhe më efikas në rastet emergjente.

“Do të modernizojmë spitalet ekzistuese në QKUK dhe do të ndërtojmë spitalin e ri të Prishtinës dhe atë të Mitrovicës. Do të krijojmë Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, në mënyrë që reagimi në rastet urgjente të jetë më i shpejtë dhe më efikas. Do të investojmë në teknologji moderne diagnostikuese në Kosovë, në mënyrë që qytetarët të mos presin me muaj për ekzaminime”, tha Hamza.

Sipas tij, programi parashikon edhe themelimin e Qendrës Kombëtare për Trajtimin e Varësive, mbështetjen e prodhimit vendor farmaceutik dhe digjitalizimin e sistemit shëndetësor përmes dosjeve elektronike të pacientëve.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish