Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se çështja e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara nuk duhet të përdoret si mjet për pazare politike për zgjedhjen e presidentit.
Në një konferencë për media, Hamza tha se PDK-ja është e gatshme të diskutojë për presidentin, por fillimisht kërkon që të votohet në lexim të dytë ligji për Dhomat e Specializuara.
“Për Partinë Demokratike të Kosovës duhet të kalojë ligji, leximin e dytë, dhe pastaj mund të flasim dhe të kemi marrëveshje për presidentin”, tha Hamza.
Ai kritikoi qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se çështja e Ligjit për Dhomat e Specializuara po përdoret për të arritur qëllime politike. “Çështja e ligjit për Dhomat e Specializuara nuk është temë, nuk është çështje që i takon veç Partisë Demokratike të Kosovës. Po flasim për historinë, për të tashmen, për të ardhmen e vendit tonë”, deklaroi ai.
Hamza tha se UÇK-ja ka pjesëtarë në të gjitha partitë politike dhe se kjo çështje nuk duhet të bëhet pjesë e pazareve politike. “Qëllimi i kësaj teme është si ta përdori ligjin thjesht, direkt për shantazh për me mbërritur qëllimin politik”, tha ai.
Sipas Hamzës, qëllimi i Vetëvendosjes është zgjedhja e një “presidenti politik” dhe marrja e kontrollit mbi institucionet.
“Cili është qëllimi politik? Që me pasur një president politik, një president politik dhe me përmbysur, me thënë pothuajse 100%, kapjen e institucioneve të shtetit”, u shpreh Hamza.
Ai tha se PDK-ja nuk pranon që presidenti të zgjidhet pa marrëveshje politike. “Presidenti ka mundur me u zgjedhur, po jo president pa marrëveshje. Jo president ‘ky është emri, merre ose lëre’. Jo, Partia Demokratike e Kosovës është e hapur, ka qenë e hapur për me biseduar”, tha Hamza.
Kreu i PDK-së theksoi se gjatë ditëve të fundit ka pasur disa takime, por sipas tij, ndryshimi i vazhdueshëm i qëndrimeve e ka vështirësuar arritjen e një marrëveshjeje. “Kemi pasur mjaftueshëm takime. Unë këtu në Kuvend kam qenë, gjithë ditën këtu në Kuvend kam qenë. Po takime me ndryshime të qëndrimeve është problem me mbërritur marrëveshja. Nuk ka seriozitet. Propozime të imponuara”, tha Hamza.
Ai shtoi se nuk mund të ketë marrëveshje nëse njëra palë i imponon emrat dhe kushtet e saj. “Nuk mundesh me arrit marrëveshje pa u marrë vesh edhe me palën tjetër. T’i thonë emrat në konferencë për media dhe nuk mundesh me punuar me 100 standarde”, deklaroi ai.
Hamza tha se PDK-ja do të vazhdojë të qëndrojë e hapur për bisedime, por këmbënguli se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara duhet të kalojnë në lexim të dytë dhe se zgjedhja e presidentit duhet të jetë rezultat i një marrëveshjeje, jo i një kushtëzimi politik.


























