Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, ka kujtuar heronjtë Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, në 34-vjetorin e rënies së tyre.
Ai ka thënë se ata i takojnë brezit të hershëm të lëvizjeve për liri, i atdhetarëve që ranë për çlirimin e Kosovës.
Haradinaj tutje, ka thënë se jeta dhe vepra e tyre motivuan brezat për çlirimin e Kosovës.
“Ndër breza nuk kanë rreshtur përpjekjet e shqiptarëve për liri. Ato ishin të forta e të vendosura. Sot, në 34-vjetorin e rënies, kujtojmë e nderojmë dy heronjtë e kombit, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu. Ata i takojnë brezit të hershëm të lëvizjeve për liri, i atdhetarëve që ranë për çlirimin e Kosovës. Pa asnjë dyshim, Afrimi e Fahriu janë atdhetarët e hershëm që me jetën dhe veprën e tyre motivuan brezat që në fundshekullin e kaluar t’i japin fund robërisë përmes luftës sonë çlirimtare. Lavdia u takon të rënëve në secilën etapë të historisë sonë të lavdishme”, ka shkruar Haradinaj.
Ndryshe, sot bëhen 34 vjet nga rënia e dy dëshmorëve të kombit, Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia, nga Komuna e Podujevës.
Fahriu dhe Afrimi ranë më 2 nëntor të vitit 1989, në “Bregun e Diellit” në Prishtinë, pas një luftimi të pabarabartë me forcat e armikut.