Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar ngjarjet e 21 prillit duke thënë se është një datë që shënon disa ngjarje që bënë kthesë në rrugëtimin tonë për liri, shkruan Kosova Post.
Ai, përmes një postimi në Facebook, ka kujtuar edhe rënien heroike të Armend Daci nga Irzniqi i Deçanit.
Tutje i pari i AAK-së ka thënë se “përulemi para heroizmit të luftëtarëve të lirisë”.
“Armend Daci nga Irzniqi i Deçanit ishte student i dhjetësheve. Ai do të angazhohej në celulat e para të UÇK-së dhe ishte i afërt me sot Heronjtë e Kombit, Adrian Krasniqi e Edmond Hoxha. Pikërisht, atij do t’i organizohej atentati përderisa po kthehej në banesën e tij në Prishtinë. Që të nesërmen e rënies së tij, me 22 prill 1996, u organizuan disa sulme kundër personelit të sigurisë serbe në disa pjesë të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.
“Pikërisht në 21 prillin e vitit 1999, në Viti të Marecit, bashkë me shokët që tanimë ishin të plagosur në beteja, Afrim Vitinë e Sokol Sopin, heroikisht ra Isa Kastrati”.
Postimi i plotë:
Kujtuam dje 21 prillin si datë që shënon disa ngjarje që bënë kthesë në rrugëtimin tonë për liri.
Armend Daci nga Irzniqi i Deçanit ishte student i dhjetësheve. Ai do të angazhohej në celulat e para të UÇK-së dhe ishte i afërt me sot Heronjtë e Kombit, Adrian Krasniqi e Edmond Hoxha. Pikërisht, atij do t’i organizohej atentati përderisa po kthehej në banesën e tij në Prishtinë.
Që të nesërmen e rënies së tij, me 22 prill 1996, u organizuan disa sulme kundër personelit të sigurisë serbe në disa pjesë të Kosovës.
Dy vite më pas, kur lufta për liri kishte marrë hov, forcat e pushtuesit u thyen në Baballoq të Deçanit. Ata u përballën me vendosmërinë e trimave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët u bën mur mbrojtës i zonës së lirë, që e mbrojtën me trimëri e guxim.
Pikërisht në 21 prillin e vitit 1999, në Viti të Marecit, bashkë me shokët që tanimë ishin të plagosur në beteja, Afrim Vitinë e Sokol Sopin, heroikisht ra Isa Kastrati.
Bashkëpunëtor i Adem Demaçit, i burgosur nga regjimi komunist jugosllav, ai do të vazhdonte me aktivitete politike në dobi të çlirimit të vendit, e më pas do të uniformohej dhe me pushkë në dorë do bashkohej me trimat luftëtarë në rajonin e Gollakut.
Pas rënies heroike, emrin e tij do ta mbante me krenari dhe do ta nderonte deri në ditën e fitores, Brigada 172 e Zonës së Karadakut.
Përulemi para heroizmit të luftëtarëve të lirisë. Lavdi e përjetshme të rënëve!
RH