Avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetic, ka bërë të ditur se mbrojtja do ta apelojë aktgjykimin e Trupit Gjykues, duke pretenduar se në të janë bërë gabime të rëndësishme ligjore, faktike dhe procedurale.
Misetic ka thënë se mbrojtja gjatë gjithë procesit gjyqësor ka ngritur shqetësime lidhur me drejtësinë procedurale, veçanërisht për mënyrën e ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të anëtarëve të Trupit Gjykues përmes pyetjeve ndaj dëshmitarëve dhe palëve.
Sipas tij, këto ndërhyrje kanë krijuar përshtypjen e mungesës së paanshmërisë.
“Mbrojtja mban qëndrimin se ndërhyrjet gjyqësore e kanë tejkaluar kufirin e kërkimit neutral të së vërtetës, duke cenuar përshtypjen e paanshmërisë që kërkohet sipas standardeve ndërkombëtare të drejtësisë. Kjo mungesë paanshmërie tashmë përshkon edhe aktgjykimin e Trupit Gjykues”, ka deklaruar Misetic.
Ai ka ngritur pretendime edhe lidhur me përfshirjen e Thaçit në rastin e vrasjes së Behajdin Allaqit. Sipas Misetic, Trupi Gjykues e ka përmendur publikisht këtë rast, ndërkohë që më herët kishte urdhëruar palët të mos e diskutonin atë në seanca publike dhe kishte vendosur që provat përkatëse të mbaheshin konfidenciale.
“Trupi Gjykues e ka shpallur publikisht z. Thaçi fajtor për një vrasje, ndërkohë që provat mbi të cilat është bazuar ky përfundim i janë mbajtur të fshehura shqyrtimit publik”, ka thënë ai.
Misetic ka deklaruar se mbrojtja konsideron se gjetjet për fajësinë e Thaçit përtej dyshimit të arsyeshëm janë mbështetur në prova të pamjaftueshme dhe të pakonfirmuara.
Ai ka theksuar se Thaçi e mohon çdo përfshirje në vrasjen e Allaqit dhe se, sipas tij, ish-presidenti do ta mirëpriste shqyrtimin publik të provave mbi të cilat është bazuar ky konstatim.
“Mbrojtja do t’i apelojë vendimet e Trupit Gjykues për shkelje të të drejtave të tij themelore për një gjykim të drejtë, të garantuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetuta e Kosovës”, ka shtuar Misetic.
Sipas tij, njoftimi zyrtar për apel do të dorëzohet pranë Panelit të Apelit, me synimin për të kundërshtuar ato që mbrojtja i konsideron si gabime faktike, ligjore dhe procedurale.


























