Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka thënë se mbrojtja e ish-drejtuesve të UÇK-së është detyrë qytetare e institucionale, përcjell KosovaPost.
Përmes një postimi, ajo thotë se vlerat e luftës së UÇK-së nuk mbrohen me shpifje dhe kërcënime, por me të vërtetën, drejtësinë dhe dinjitetin që e kanë mbajtur gjallë popullin tonë.
“Por askush nuk i mbron ata duke shpallur aty për aty “spiunë” e “tradhtarë” kundërshtarët politikë, duke shënjestruar dëshmitarë apo duke kërkuar fajtorë mes qytetarëve të Kosovës. Shënjestrimi me këto emërtime, në protesta, në emisione televizive dhe në postime publike, dje dhe sot riprodhon pikërisht logjikën e akuzës së ngritur ndaj drejtuesve të UÇK-së, etiketimin e kundërshtarit si armik dhe kthimin e tij në shënjestër. Kështu, në emër të mbrojtjes, i jepet fuqi vetë akuzës”, ka shkruar kryetarja e Kuvendit.
Ndër të tjera, ajo u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë maturi dhe të paraqesë vlerat dhe virtytet që “na karakterizojnë si shoqëri dhe si komb”
“Populli nuk dëshmon. Dëshmojnë individë, secili me emër dhe me përgjegjësi vetjake. Prandaj, përpjekja për ta paraqitur një popull të tërë si burim “spiunimi” është e pavërtetë, fyese dhe e rrezikshme. Ajo mbjell frikë, nxit linçim dhe e shndërron dhimbjen në përçarje. Nga ana tjetër kushdo që ka të dhëna për persona që kanë dëmtuar apo dëmtojnë interesin kombëtar e tash edhe shtetëror duhet sa më parë t’i paraqesë ato në organet tona të sigurisë e drejtësisë. Sepse këto raste duhet të adresohen në plotni”
“Asnjë padrejtësi nuk ndreqet duke prodhuar një padrejtësi tjetër. Vlerat e luftës së UÇK-së nuk mbrohen me shpifje dhe kërcënime, por me të vërtetën, drejtësinë dhe dinjitetin që e kanë mbajtur gjallë popullin tonë. Ju bëj thirrje secilit individ që del apo vepron publikisht të tregojë maturi dhe të paraqesë vlerat dhe virtytet që na karakterizojnë si shoqëri dhe si komb”.


























