Ushtruesja e detyrës së presidentes dhe njëherësh kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, në konferencë për media ka folur për mungesën e një anëtari në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke theksuar se kjo situatë mund të ndikojë drejtpërdrejt në funksionimin e institucionit.
“Sa i përket anëtarit të fundit të KQZ-së, siç jeni në dijeni përbërja e KQZ-së është prej 11 anëtarëve, pra duke përfshirë edhe kryesuesin që vjen nga radhët e Gjykatës Supreme. Për momentin janë 10 anëtarë, sepse një nuk është emëruar ende, unë jam interesuar në qoftëse kjo përbën problem në KQZ, pra të jeni të sigurt që me dhjetë anëtarë në KQZ asgjë nuk certifikohet, as certifikimi i partive, as certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve e asgjë tjetër”, ka deklaruar ajo.
Haxhiu theksoi rëndësinë e plotësimit sa më të shpejtë të përbërjes së KQZ-së, në mënyrë që të sigurohet funksionimi normal i procesit zgjedhor dhe marrja e vendimeve të domosdoshme institucionale.


























