Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë homazhe te varri i Fehmiut dhe Xhevë Lladrovcit, në 28-vjetorin e rënies së tyre.
Përmes një postimi në rrjetin e saj social, Haxhiu u shpreh se ata ishin dy figura që historia e Kosovës i mban pranë njëri-tjetrit, sepse ashtu pranë njëri-tjetrit e bënë gjithë rrugën e tyre çlirimtare.
“Në jetën e Fehmiut dhe Xhevës, dashuria për njëri-tjetrin dhe dashuria për Kosovën ecën gjithmonë krah për krah, deri në ditën kur të dy ranë për lirinë e saj.Sot, njëzet e tetë vjet pas rënies së tyre, bëmë homazhe për Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin, dy figura që historia e Kosovës i mban pranë njëri-tjetrit sepse ashtu pranë njëri tjetrit e bënë gjithë rrugën e tyre çlirimtare”, shkroi Haxhiu.
Veç Fehmiut dhe Xhevë Lladrovcit, Haxhiu u shpreh se nderuan edhe të rënët e tjerë që ishin përkrah tyre.
“Sot nderuam, përkrah Fehmiut dhe Xhevës, edhe Fatime Hetemin, Shefqet Zekën, Behxhet e Milaim Karaxhën dhe Hamit Lladrovcin. Emrat e tyre janë pjesë e pandashme e historisë sonë të lavdishme, e luftës dhe e sakrificës mbi të cilat u fitua liria e Kosovës”, shkroi ndër të tjera Haxhiu.


























