Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në aktivitetin “Race for the Cure Kosova”, përmes të cilit synohet ndërgjegjësimi për rëndësinë e kontrolleve të hershme për kancerin e gjirit, përcjell KosovaPost.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu u ka bërë thirrje grave që të kryejnë kontrollet shëndetësore me kohë dhe të kujdesen që këtë mesazh ta përcjellin edhe te familjarët dhe personat e afërt.
Ajo ka thënë se mesazhi i aktivitetit duhet të arrijë edhe te gratë që e kanë shtyrë kontrollin për shkak të angazhimeve familjare, frikës nga rezultati apo vështirësive për të marrë kujdesin e nevojshëm shëndetësor.
“Kur flasim për kancerin e gjirit, koha merr një peshë tjetër dhe ne kemi përgjegjësi që gratë të mos e humbin atë duke pritur apo duke u përballur me pengesa që mund dhe duhet t’ua lehtësojmë”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo u ka bërë thirrje grave që ta bëjnë kontrollin me kohë dhe t’ua kujtojnë këtë edhe vajzave, nënave, motrave, shoqeve dhe kolegeve.
“Sepse në këtë garë nuk ka rëndësi kush mbërrin e para. Rëndësi ka që asnjë grua të mos mbërrijë vonë”, ka theksuar Haxhiu.


























