Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Haxhiu ka bërë të ditur se, në përputhje me përgjegjësitë e saj kushtetuese, seanca konstituive e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të thirret brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë.
Ajo ka vlerësuar se certifikimi i rezultateve përfundimtare shënon përmbylljen e një procesi të rëndësishëm demokratik për vendin.
“Sot, me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmbyllet një proces i rëndësishëm demokratik për Republikën tonë. Vullneti i qytetarëve, i shprehur me votë brenda vendit dhe nga bashkatdhetarët tanë, ka marrë tashmë formën e tij përfundimtare institucionale”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka falënderuar institucionet zgjedhore dhe të gjithë personat që kanë kontribuar në organizimin dhe përfundimin e procesit zgjedhor.
“Besimi i dhënë nga qytetarët është një përgjegjësi e madhe. Çdo mandat duhet të ushtrohet me integritet, llogaridhënie dhe përkushtim të palëkundur në shërbim të interesit publik, demokracisë dhe të ardhmes së Republikës sonë”, ka deklaruar Haxhiu.
Sipas saj, thirrja e seancës konstituive do të hapë rrugën për themelimin e institucioneve të reja të dala nga vullneti i qytetarëve.


























