Ka nisur sërish seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e cila po zhvillohet për herë të dytë gjatë ditës së sotme.
Në sallën e Kuvendit janë të pranishëm deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës nuk janë të pranishëm.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se gjatë kohës nga ndërprerja e seancës së mëparshme deri në fillimin e kësaj seance, ka tentuar të kontaktojë me përfaqësuesit e PDK-së.
Ajo tha se nga përfaqësuesit e kësaj partie ka marrë përgjigjen se nuk do të marrin pjesë në seancë dhe se çështjen do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.
“Gjatë kësaj kohe, prej kohës kur i ndërpreva punimet e seancës e deri tani, kisha një përpjekje që të takohem me përfaqësuesit e PDK-së, por nuk ishte e mundur. Sipas diskutimit me ta, më thanë që qëndrimi i tyre është se nuk do të vijnë fare në seancën e Kuvendit dhe do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese”, tha Haxhiu.
PDK-ja kishte kërkuar që për nënkryetare të Kuvendit të votohej Vlora Çitaku, por kandidatura e saj nuk mori votat e nevojshme në seancën e paradites, e cila ishte thirrur në orën 11:00.
Pas kësaj, PDK-ja njoftoi se nuk do të marrë më pjesë në punimet e Kuvendit.

























