Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, ka pritur në takim lamtumirës komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, me rastin e përfundimit të angazhimit të tij në Kosovë, përcjell KosovaPost.
Policia e Kosovës ka njoftuar se takimi është zhvilluar më 6 tetor në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, ku Hoxha, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, ka falënderuar Ulutashin për bashkëpunimin gjatë periudhës së misionit të tij.
Sipas njoftimit, Hoxha ka shprehur mirënjohje për “bashkëpunimin, përkushtimin dhe kontributin e dhënë gjatë periudhës së misionit si komandant i KFOR-it në Republikën e Kosovës”.
Me këtë rast, në shenjë falënderimi, drejtori i Policisë, në emër të Policisë së Kosovës, i ka dhuruar mirënjohje komandantit të KFOR-it.
Policia ka bërë të ditur se Hoxha i ka uruar Ozkan Ulutashit “suksese të mëtutjeshme në rrugëtimin e tij profesional dhe personal”.


























