Nga 29 shtaroi 2026 ka hyrë në fuqi marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe katër shteteve anëtare të Shoqatës Evropiane për Tregti të Lirë (EFTA): Zvicrës, Norvegjisë, Islandës dhe Lihtenshtajnit.
Nëpërmjet një organizimi nga Ministria e Industrisë, e Ndërmarrësisë dhe e Tregtisë (MINT), të martën në Prishtinë u informuan bizneset për detajet dhe hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje.
Ministrja e MINT-it, Mimoza Kusari-Lila, tha se me këtë marrëveshje fuqizohet edhe më shumë partneriteti i Kosovës me shtetet e EFTA-s.
“Nga kjo sjellim një partneritet të fuqishëm ekonomik të Republikës sonë me këto shtete dhe padyshim me zbatimin e kësaj marrëveshje, ky partneritet fuqizohet edhe më tej dhe me efektet edhe në marrëdhëniet tona diplomatike…Besoj që ky është një fillim i mbarë jo vetëm për Republikën në përgjithësi, por edhe për të gjitha bizneset në veçanti të cilat shohin dhe kërkojnë zgjerimin e tregjeve”, tha Kusari-Lila.
Duke folur për shkëmbimet aktuale tregtare, Kusari-Lila bëri me dije se gjatë vitit 2025 eksportet e mallrave të Kosovës drejt vendeve të EFTA-s tejkaluan 100 milionë euro, duke përbërë 11 për qind të eksporteve të përgjithshme të vendit dhe krahasuar me vitin 2024, eksportet shënuan rritje prej 15 për qind.


























