Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka shqiptuar gjobë ndaj një kompanie për përpunimin e betonit në Gjilan, ndërsa ka obliguar tri subjekte të tjera të ndërpresin punën për shkak të mungesës së lejeve mjedisore, përcjell KosovaPost.
Kështu ka bërë të ditur ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, e cila ka njoftuar përmes një postimi se gjatë kësaj jave Inspektorati i ministrisë ka ndërmarrë masa për mbrojtjen e mjedisit dhe zbatimin e ligjit.
Sipas saj, përveç kompanisë në Gjilan, për ndërprerjen e punës janë obliguar edhe dy kompani në Klinë dhe një fabrikë në Lipjan, pasi kanë funksionuar pa lejet përkatëse mjedisore.
Pacolli ka bërë të ditur se kontrollet kanë përfshirë edhe gurthyesit, si dhe operatorët që merren me përpunimin e mishit dhe produkteve të qumështit, me fokus në respektimin e lejeve mjedisore dhe mbrojtjen e ujërave.
Ajo ka theksuar se Inspektorati po monitoron edhe zbatimin e vendimeve të marra, ndërsa po trajton vazhdimisht ankesat e pranuara nga qytetarët.
“Ndotja dhe aktivitetet në kundërshtim me ligjin nuk do të tolerohen. Inspektimet dhe masat ligjore do të vazhdojnë”, ka shkruar Pacolli.


























