Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, Hajrulla Çeku, i ka shkruar letër zyrtare Dioqezës Rashkë-Prizren lidhur me gatishmërinë e kësaj ministrie për sanimin e dëmeve në Manastirin e Banjskës në Komunën e Zveçanit, transmeton KosovaPost.
Manastiri i Banjskës u bë objekt strehimi për sulmuesit e armatosur rëndë të cilët u ballafaquan me armë me Policinë e Kosovës mëngjesin e 24 shtatorit, kur mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe tre nga pjesëtarët e grupit që sulmoi njësitet policore.
Çeku nëpërmjet një reagimi publik në rrjetet sociale tha se zotimin e dhënë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të datës 27 shtator 2023 për sanimin e dëmeve në Manastirin e Banjskës në Zveçan, të shkaktuara nga sulmi terrorist i datës 24 shtator, po e konkretizojnë më shkresën zyrtare drejtuar Dioqezës Rashkë – Prizren.
“Konform detyrimeve, autorizimeve kushtetuese dhe ligjore ftojmë autoritetet e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë për bashkërendim të veprimeve deri në ndërhyrjet e nevojshme restauruese për sanimin e dëmeve, në këtë aset të trashëgimisë kulturore”, theksoi Çeku.
Ai në letrën ku shprehu shqetësim për dëmtimet e shkaktuara në Manastir, ofroi gatishmërinë e institucioneve për ndërmarrjen e “të gjitha veprimeve të nevojshme për sanimin e dëmeve të shkaktuara nga sulmi terrorist i datës 24 shtator 2023, rehabilitimin e gjendjes, në mënyrë që të sigurohet ruajtja e këtij aseti të trashëgimisë kulturore”.
Tutje, në këtë letër thuhet se Kosovës siguron mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare ashtu si është përcaktuar në nenin 9 të Kushtetutës së Kosovës dhe për më tepër obligohet që të promovojë ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare të të gjitha komuniteteve, si dhe ka detyrime të veçanta për sigurimin e mbrojtjes efektive të monumenteve të rëndësisë kulturore dhe fetare për të gjitha komunitetet.


























