Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin me pagesë të një zyrtari policor që shërben në Stacionin Policor Kufitar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, nën dyshimin për veprime të kundërligjshme, përcjell KosovaPost.
Rasti është pranuar nga IPK-ja më 14 shtator 2026, pas referimit nga Policia e Kosovës.
Sipas informatave fillestare të siguruara gjatë hetimit, më 9 shtator një punonjës i aeroportit kishte raportuar humbjen e 105 eurove.
Gjatë shqyrtimit të pamjeve nga kamerat e sigurisë, është konstatuar se paratë ishin gjetur nga një udhëtare, shtetase e Kosovës me banim në Gjermani, e cila më pas ia kishte dorëzuar shumën një zyrtari policor.
Sipas IPK-së, zyrtari policor ka pranuar se kishte marrë paratë, por nuk i kishte dorëzuar dhe trajtuar ato në përputhje me procedurat ligjore dhe institucionale. Paratë, sipas shkresave të rastit, më vonë i kishte vendosur në kutinë e donacioneve të një organizate bamirëse në aeroport.
Duke vlerësuar ekzistimin e dyshimit të arsyeshëm dhe me qëllim të sigurimit të kushteve për zhvillimin e papenguar të hetimeve, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin me pagesë të zyrtarit policor.
Hetimet po vazhdojnë në drejtim të veprave penale “Përvetësimi në Detyrë” dhe “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”.
IPK ka bërë të ditur se hetuesit, në koordinim me Prokurorinë, do të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore për të ndriçuar plotësisht rrethanat e rastit.


























