Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale e Shqipërisë, Evis Sala, ka dhënë dorëheqjen nga detyra pas rreth një viti në krye të këtij dikasteri.
Sala e ka paraqitur dorëheqjen gjatë mbledhjes së qeverisë. Sipas RTSH-së, vendimi nuk ka qenë i momentit, por është planifikuar më herët. Largimi nga detyra lidhet me angazhime të reja ndërkombëtare në fushën e ekspertizës së saj.
Vetë Evis Sala e ka konfirmuar dorëheqjen përmes një videomesazhi, ku ka bërë të ditur se ka pranuar disa angazhime ndërkombëtare në fushën e onkologjisë, inteligjencës artificiale dhe inovacionit.
Ajo vlerësoi punën e bërë gjatë vitit të fundit në sektorin e shëndetësisë, duke theksuar se disa prej ndryshimeve janë tashmë të dukshme, ndërsa të tjera sapo kanë nisur.
“Sot ishte mbledhja ime e fundit si anëtare e kabinetit qeveritar, pasi kam pranuar disa angazhime ndërkombëtare të rëndësishme në fushën time të ekspertizës: onkologji – inteligjencë artificiale – inovacion. Angazhimi im për Shqipërinë nuk lidhet me një post. Ai është pjesë e asaj që jam dhe do të vazhdojë përmes dijes, eksperiencës dhe rrjetit tim profesional ndërkombëtar”, tha ndër të tjera Sala.
Prof. Sala mori drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të Shqipërisë në shtator të vitit 2025, në kuadër të qeverisë “Rama 4”.
Sala është një figurë e njohur në fushën e imazherisë onkologjike. Përpara emërimit në qeveri, ajo ka mbajtur pozicionin e Rektorit Themelues të Universitetit Western Balkans, gjatë periudhës 2022–2025.
Sala është e specializuar në imazherinë onkologjike dhe ka zhvilluar kërkime në përdorimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve tumorale. / rtsh


























