Disa nga ngjarjet, njerëzit dhe datat më me ndikim në historinë botërore që kanë shënuar ditën e sotme, 10 shkurt, shkruan Kosova Post.
10 shkurt 1763 – U nënshkrua Traktati i Parisit ndërmjet Anglisë, Francës dhe Spanjës duke i dhënë fund një lufte shtatëvjeçare, e cila konsiderohet edhe si konflikti i parë i armatosur me përmasa globale. Kjo luftë, e cila përfshiu Anglinë, Francën, Spanjën, Portugalinë, Austrinë, Suedinë, Rusinë dhe Prusinë, përfundoi me rezultate të rëndësishme në historinë botërore. Franca hoqi dorë nga të gjitha territoret e saj në Botën e Re, me përjashtim të Nju-Orlinsit dhe disa ishujve të shpërndarë; Anglia forcoi epërsinë detare e kolonialiste anembanë botës, sidomos në Indi; ndërkohë që u ndez edhe fitili i Luftës Amerikane për Pavarësi.
10 shkurt 1947 – Koalicioni Antifashist nënshkroi Traktatin e Paqes së Parisit me Italinë, Rumaninë, Hungarinë, Bullgarinë dhe Finlandën, shtete që u renditën në krah të nazistëve gjatë Luftës II Botërore. Traktati në fjalë vizatoi sërish kufijtë e vendeve të lartpërmendura.
10 shkurt 1962 – Bashkimi Sovjetik i ktheu Shteteve të Bashkuara të Amerikës agjentin Francis Gary Power në këmbim të spiunit rus, Rudolph Ivanoviç Abel. Powers ishte pilot amerikan i CIA-s, aeroplani “U-2” i të cilit u rrëzua ndërsa fluturonte në një mision zbulimi mbi hapësirën ajrore sovjetike në vitin 1960. Ndërsa Abeli ishte një oficer zbulimi rus i arrestuar nga agjentët e FBI-së në vitin 1957 si anëtar i një rrjeti spiunazhi sovjetik me bazë në Nju-Jork dhe i dënuar me 45 vjet heqje lirie.
10 shkurt 2014 – Shirley Temple, fëmija aktore e famshme e Hollivudit, vdiq në moshën 84-vjeçare.