Deputeti shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, lidhur me bashkimin e partive shqiptare në një listë të përbashkët parlamentare, duke vlerësuar se shqetësimi i tij shkon përtej numrit të mandateve që mund të fitojë koalicioni shqiptar.
Në një postim, Kamberi ka thënë se çështja kryesore nuk është numri i deputetëve shqiptarë që do të hyjnë në Parlament, por përfaqësimi politik që ata do të ofrojnë dhe ndikimi që mund të kenë.
“Çështja nuk është domosdoshmërisht sa deputetë shqiptarë do të hyjnë në Parlament, por çfarë do të përfaqësojnë ata politikisht dhe çfarë mund të bëjnë me atë përfaqësim”, ka shkruar Kamberi.
Ai ka kritikuar gjuhën e përdorur nga Vuçiqi ndaj listës së përbashkët shqiptare, duke theksuar se paraqitja e kundërshtarëve politikë si armiq e zhvendos debatin nga konkurrenca zgjedhore te lojaliteti ndaj shtetit.
“Kur një ish-president dhe kandidat për kryeministër e paraqet një listë zgjedhore të pakicës kombëtare si armike, ai e zhvendos debatin nga programi, të drejtat dhe rezultatet te lojaliteti ndaj tij e partisë shtet”, ka deklaruar Kamberi.
Sipas tij, ky narracion synon të krijojë presion politik mbi partitë dhe kandidatët që mund të bashkëpunojnë me përfaqësuesit shqiptarë, si dhe të bëjë që kritikat ndaj qeverisë serbe të interpretohen si veprime kundër interesave të Serbisë.
Kamberi ka vlerësuar se një përfaqësim shqiptar i bashkuar, kritik dhe i pavarur mund të jetë më i vështirë për t’u kontrolluar politikisht sesa një numër më i madh deputetësh të gatshëm të përshtaten me pushtetin.
Ai ka përmendur tri fusha ku deputetët shqiptarë mund të kenë ndikim: në Parlament, përmes ngritjes së çështjeve të pasivizimit të adresave, diskriminimit dhe nënpërfaqësimit; në arenën ndërkombëtare, duke dokumentuar shkeljet e pretenduara të të drejtave të shqiptarëve; si dhe në debatin e brendshëm politik serb, duke dëshmuar ekzistencën e një përfaqësimi shqiptar të pavarur nga politika qeveritare.
“Ndikimi i deputetit nuk matet vetëm me votat që ka në Parlament, por edhe me aftësinë për ta bërë një problem të brendshëm çështje të përgjegjësisë institucionale dhe ndërkombëtare”, ka shkruar ai.
Deputeti shqiptar ka theksuar se përmes këtij diskursi, sipas tij, po tentohet të zhvendoset vëmendja nga problemet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës drejt pretendimeve për lojalitetin e tyre ndaj shtetit serb.
“Përmes këtij narracioni ai po tenton me zhvendos pyetjen nga çështja pse nuk po zgjidhen problemet e shqiptarëve në çështjen: Pse po kërkojnë shqiptarët këto të drejta dhe kujt po i shërbejnë?”, ka deklaruar Kamberi.
Ai ka përmendur edhe marrëveshjet e viteve 2001, 2009, 2013 dhe 2022, për të cilat ka thënë se Serbia nuk po i respekton.
Në fund, Kamberi ka theksuar se bashkimi politik i shqiptarëve mund të ketë ndikim përtej numrit të mandateve, nëse ruan pavarësinë dhe besueshmërinë.
“Një listë që ai mund ta mposhtë lehtësisht në numra, mund të jetë shumë më e vështirë që të neutralizohet në planin politik dhe diplomatik, nëse ajo listë ruan pavarësinë, disiplinën dhe besueshmërinë e saj”, ka shkruar Kamberi.
Ai ka përfunduar duke iu referuar deklaratave të Vuçiqit se nuk do të lejojë ndërkombëtarizimin e çështjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.


























