Zyra e presidencës i ka reaguar deputetes së PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e cila në seancën e Kuvendit ka kritikuar presidenten Vjosa Osmani se po heshtë, derisa qytetarët po ballafaqohen me kriza të shumëfishta, përcjell KosovaPost.
Donjeta Miftari, këshilltare e presidentes Vjosa Osmani, përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se Presidentja i di shumë mirë obligimet e saj kushtetuese, se cilat janë përgjegjësitë e saj, e cilat jo.
Sipas saj, Osmani ka siguruar edhe donacion prej gjysmë milioni vaksina nga SHBA-ja.
“Së fundi, Presidentja e ka diskutuar temën e pandemisë në koordinim me partnerët edhe sot, në takim me ambasadorin amerikan si dhe me ambasadorin e OSBE-së. Ajo vazhdimisht i bënë të qarta kërkesat dhe qëndrimet e saj edhe në Komitetin për vlerësimin e situatës me pandeminë”, ka shkruar ajo ndër të tjera.