Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar lidhur me rastin e rrahjes së një 18 vjeçari në një nga stacionet policore në Prishtinë më 25 janar.
KMDLNj vlerëson se rrahja e të ndaluarve apo të arrestuarve në Stacion Policor është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut prandaj kërkon të ndërpritet “kjo praktikë e mbrapshtë sikur që kërkon që këta policë të mos falen duke ua shqiptaur ndonjë dënim simbolik”.
Ky këshill gjithashtu kërkon të bëhen hetime edhe ndaj policëve që nuk ndërmarrin asgjë për të penguar dhunën ndaj qytetarëve të ndaluar apo që nuk e denoncojnë këtë dhunë.
“KMDLNj vlerëson se konfliktet verbale dhe jo vetëm verbale midis qytetarëve dhe Policisë së Kosovës bëhen kryesisht për dy arsye : gjatë shqiptimit të gjobave për kundërvajtje në trafik dhe gjatë shqiptimit të gjobave për mosrespektim të masave anticovid: mbajtja e distances sociale , vendosja e maskave, mosrespektimi i kufizimit të lirisë së lëvizjes dhe ndalimi i grumbullimit të shumë personave”.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut njëherëshfton të gjithë qytetarët e Kosovës të sillen në përputhje me ligjin, të respektojnë policinë, kurse, çdo rast kur atyre u shkelen të drejtat, duhet t’i paraqesin te Inspektoriati Policor i Kosovës apo te organizatat për të drejtat e njeriut e që kanë mandat të monitorojnë të drejtat e personave të privuar nga liria.